Sapo zbarkoi në Miami, ku iu bashkua shokëve të tij të rinj te Barcelona, Robert Lewandowski shprehet “shumë i lumtur që jam këtu. Ishte e lehtë të vendosja të vija te Barça”, raporton faqja zyrtare e klubit blaugrana.

“Barça është rikthyer. Mendoj se mund të ndihmoj që skuadra të kthehet në majat e futbollit evropian. Ishin ditë të gjata. Shpresoj se do të fillojmë të fitojmë menjëherë: më pëlqen të fitoj trofe dhe ky është një kapitull i ri për mua, me sfida të reja. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua. Gjithmonë kam dashur të luaj në La Liga dhe për një skuadër të madhe. Unë kam folur tashmë me Xavi dhe i di idetë e tij. Ai ishte një lojtar i madh dhe ka përpara vetes një të ardhme të madhe si trajner”, përfundoi sulmuesi polak, i cili përshëndeti Bayern Mynih pas tetë sezonesh, 19 trofesh dhe 344 golash të shënuar në 375 ndeshje.

 

Merkato e transferimeve të Barcelonës nuk do të ndalet me blerjen e Robert Lewandowskit. Siç raporton Radio MARCA, Blaugranat në orët e ardhshme duan të mbyllin negociatat edhe për mbrojtësin e Chelsea, Cesar Azpilicueta. Spanjolli është në skadencë kontrate pas një viti dhe vlerësohet rreth tetë milionë euro, por Barça është e bindur se do të jetë në gjendje të gjejë një marrëveshje me shifra më të ulëta me Blues, pasi tashmë ka arritur prej kohësh një marrëveshje totale me futbollistin.