Natë për rekord për Harry Kane. Në një të mërkurë të pazakontë në Premier League, Tottenham fitoi në fushën e Brighton dhe rrëmbeu tre pikë vendimtare në këndvështrimin e Europës. Një sukses që mban firmat e Romeros dhe kapitenit të kombëtares angleze. Hurricane shënoi golin e dytë të skuadrës së tij në minutën e 57, kur finalizoi një kundërsulm në mënyrë brilante. Falë këtij goli, 28-vjeçari theu një rekord të ri, por shumë njerëz do ta kujtojnë këtë mbrëmje për festimin e tij dhe jo për golin.

Për Kane, ai në Falmer stadium ishte goli i 95 jashtë fushe në Premier League. Ai kalon kështu Wayne Rooney, i cili ishte në vendin e parë në këtë renditje speciale. Lojtari i Spurs e arriti këtë moment historik në 139 ndeshje, ndërsa ish-sulmuesi i United iu deshën 104 ndeshje më shumë, 243. Një rekord i rëndësishëm, që gjithësesi doli në plan të dytë për shkak të festimit të tij, i cili u bë menjëherë ikonik.

Kane iu afrua këndit për të festuar, por një tifoz, ndoshta i Brighton, hodhi një shishe Coca-Cola në drejtim të tij. Lojtari mund të dëmtohej vërtetë, por për fat ai e vuri re objektin në ajër dhe e goditi fluturimthi me një lëvizje të stilit karate. Vetëkuptohet që festimi i tij i coi në delir tifozët e Spurs në transfertë, por mbi të gjitha rrjetet sociale.

Pas ndeshjes, edhe Antonio Conte vlerësoi lojtarin e tij, jo për festimin, por për rekordin dhe aftësitë e tij. Trajneri beson se Kane meriton të fitojë diçka të rëndësishme në karrierën e tij: “Jam i lumtur për të, sepse në çdo ndeshje ka shumë mundësi për të shënuar. Në fillim të sezonit ai u mundua pak dhe nuk shënoi shumë, por tani e di mirë se me këtë ekip ka mundësi të mëdha për të shënuar në çdo ndeshje. Të kesh një sulmues si ai na bën më të fortë. Mendoj se ai meriton të fitojë diçka në karrierën e tij sepse po flasim për një lojtar fantastik”.