Interi mposht Juventusin 2-1 në kohën shtesë dhe fitoi edicionin e 34-të të Superkupës së Italisë. Një gol i Sanchez ishte vendimtar në minutën e 120, kur penalltitë dukeshin të pashmangshme. Zikaltrit patën një fillim më të mirë, por bardhezinjtë ishin të parët që kaluan në avantazh me goditjen me kokë të McKennie (25′). Dhjetë minuta më vonë De Sciglio pengoi Dzekon dhe Lautaro Martinez nuk gaboi nga pika e bardhë. Në pjesën e dytë, shtyllë e Dumfries, pastaj epilogu i pabesueshëm.

Me suksesin e San Siros në Superkupën e Italisë, Simone Inzaghi bëhet tekniku i parë që mund bardhezinjtë në tre finale, si askush më parë në historinë e klubit torinez. Nuk ia del dot Allegri, që në Superkupën që e futi në histori me 7 prezenca duke kaluar Marcello Lippin, të merrte suksesin. Një ndeshje që sihte menduar e vështirë, jo vetëm sepse po luante kundër kryesuesve të kampionatit, por edhe për shkak të mungesave të rënda të De Ligt, Chiesa, Cuadrado, Szczesny e mungesës së rikuperimit të Bonuccit e Dybalas.

Një gol i Sanchez në aksionin e fundit para goditjeve të penalltisë, i favorizuar nga një çmenduri e Alex Sandro në zonën e Juventusit, i dhuroi Superkupën e Italisë Interit, i cili mposhti kështu bardhezinjtë 2-1 me përmbysje. Në një mbrëmje akullnajore në San Siro u vunë përballë dy filozofi: nga njëra anë dëshira për manovrim dhe zotërim i Interit, nga ana tjetër soliditeti dhe durimi i Juventusit, virtyte të rizbuluara pas çmendurisë bardhezi të parë në Olimpico. Në fund, zgjedhja e Simone Inzaghit u shpërblye, kur gjithçka dukej e vendosur për goditjet e penalltive. Interi mund të ngrejë kështu kupën e parë të sezonit.