Spektakël në dy ndeshjet e para të mbrëmjes së Champions League, për raundin e dytë të katër grupeve të para. Befasia e madhe erdhi nga Lisbona, ku Sporting siluroi me dy gola në tre minutat shtesë favoritët e Tottenham, duke shokuar Antonio Conten. Sukses i thjeshtë për Inter, 2-0 kundër Viktoria Plzen, rezultat që e lë tashmë direkt të interesuar për ndeshjen tjetër të grupit Bayern-Barcelona.

INTER 2-0 VIKTORIA PLZEN
Në javën e dytë të grupit C të Ligës së Kampionëve, Interi rikuperon humbjen në shtëpi ndaj Bayern Mynih dhe mposht 2-0 Viktoria Plzen, duke fituar pikët e para në Europë. Ndeshje me sens unik, me zikaltrit padronë të fushës. Në minutën e 20′ Dzeko zhbllokoi ndeshjen me një asist të Correas. Pas një orë lojë çekët mbetën me 10 lojtarë për përjashtimin e Bucha (faull i rëndë ndaj Barella) dhe në kundërsulm, në minutën e 70-të, Dumfries mbylli ndeshjen i shërbyer nga boshnjaku.

SPORTING 2-0 TOTTENHAM
Sporting bëri goditjen e madhe, duke fituar përballjen e kreut të grupit D me Tottenham, me rezultatin 2-0. Në Lisbonë, ndeshja u vendos në fund: në të 90-ën, Paulinho shënoi me kokë në zhvillimet e një goditje nga këndi, ndërsa në të 93-ën Arthur Gomes mbylli ndeshjen me një slalom të shkëlqyer në kundërsulm. Me këtë sukses, luzitanët u ngjitën në kuotën e 6 pikëve, duke lënë Spurs të Antonio Contes me 3.