Nuk është një moment i mirë për Kosovën dhe ndryshimi në pankinë nuk duket se ka dhënë efekt, të paktën po të gjykosh nga rezultati. Dardanët, në debutimin e teknikut Gliha, janë mundur 0-2 nga Jordania në një miqësore. Nuk është një rezultat që ka justifikim, duke qenë se Kosova u fut në fushë me gjithë lojtarët më të rëndësishëm.

Jordania shënoi në minutën e 18’ me sulmuesin Faisal, i cili depërtoi në qendër të zonës duke shënuar golin e avantazhit. Një gol që lëkundi besimin e Kosovës dhe ngjalli fantazmat e të kaluarës. Skuadra dardane u përpoq të reagonte por e bëri pa forcë e bindje, aq sa rastet e krijuara ishin të pakta.

Gjërat nuk është se ndryshuan në pjesën e dytë, edhe pse Kosova u mundua të imponohej më shumë me dëshirë se me qartësi idesh. Skuadra e Glihas u përpoqë të barazonte, por nuk kishte ekuilibër, duke lënë shumë hapësira që jordanezët i shfrytëzuan për t’i goditur sërisht. Vojvoda gaboi në ndërhyrje brenda zone, duke i dhënë mundësi sulmuesit Al Daradre që të shënonte golin e dytë, duke vulosur një ndeshje performanca e së cilës nuk premton asgjë të mirë përpara ndeshjes me Greqinë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022.