Entuziazëm dhe qetësi në ambjentin e Kombëtares para ndeshjes me San Marinon, për ndeshjen e fundit të shtatorit për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Rikthehen në dispozicion të teknikut Edoardo Reja, tre lojtarët e skualifikuar kundër Hungarisë, Bare, Hysaj e Manaj, por zyra e shtypit në FSHF bën me dije se disa lojtarë kanë probleme fizike pas duelit me Hungarinë dhe i janë nënshtruar testeve dhe pritet përgjigja e stafit mjekësor për të konkluduar nëse do të jenë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.

Vëmendja kryesore është mbi Sokol Cikalleshin, i cili nuk u aktivizua ndaj hungarezëve për shkak të një dëmtimi në gju. Për qendërsulmuesin do të vendoset nesër në mëngjes nëse do të mund të luajë ndaj San Marinos ose jo. Cikalleshi ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, ndërsa dëmtime të lehta kanë pësuar edhe Lorenc Trashi, Nedim Bajrami e Bekim Balaj, por që të tre parashikohet të jenë gati për lojë sipas stafit mjekësor kuqezi.

Amir Abrashi do të mungojë ndaj San Marinos për shkak se ka pësuar një tërheqje dhe ka nevojë për një pushim për t’u rikuperuar. Në sfidën e të mërkurës do të mungojë edhe mesfushori Klaus Gjasula, i skualifikuar pas kartonit të marrë ndaj Hungarisë.

Lojtarët që u aktivizuan si titullarë në ndeshjen ndaj Hungarisë të dielën mbrëma zhvilluan vetëm një seancë të reduktuar dhe pa ngarkesa fizike. Ndërsa pjesa tjetër e grupit bëri një seancë të plotë nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij. Shqipëria do të luajë ndaj San Marinos sfidën e tretë të shtatorit në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të startojë në ora 20:45.