Dy miqësore, teste të rëndësishme për të parë gjendjen e skuadrës, por edhe për të provuar elementet e rinj, të thërritur nga tekniku Edorado Reja. Sigurisht në këtë pikë më e përshtatshme se ndeshja me Spanjën, do të ishte ajo kundër Gjeorgjisë, por italiani ka ende kohë për të përgatitur strategjitë. Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në Barcelonë në kuadër të dy miqësoreve ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë. Stafi teknik dhe lojtarët e ftuar kanë udhëtuar drejt Spanjës dhe janë akomoduar pasdreke në hotel.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët janë paraqitur sipas programit në grumbullim, me përjashtim të Amir Abrashit. Mesfushori ka pësuar një dëmtim të dielën në ndeshjen e radhës me klubin e tij në Zvicër dhe i është nënshtruar testeve mjekësore. Deri të martën pritet një përgjigje përfundimtare nëse futbollisti do të mund të rikuperohet për miqësoret ose jo.

Të fundit që i janë bashkuar grupit kanë qenë Armando Broja, Marash Kumbulla, Herdi Prenga dhe Qazim Laçi. Pasditen e të hënës ekipi ka zhvilluar një seancë stërvitore në kompleksin “Royalverd Vall de Bas”, ku një pjesë e lojtarëve janë stërvitur rregullisht ndërsa ata që kanë luajtur të dielën me klubet në kampionatet respektive kanë kryer stërvitje pa shumë ngarkesa. Të martën kuqezinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë seancë stërvitore me ngarkesë të plotë dhe të nisin kolaudimin për dy miqësoret e marsit.