“Ka ardhur dita për t’i thënë lamtumirë futbollit”. Me një konferencë të papritur për shtyp, Gonzalo Higuain njofton vendimin për t’u tërhequr në fund të sezonit. Sulmuesi argjentinas ka njoftuar vendimin për të varur këpucët dhe se dy ndeshjet e ardhshme do të jenë të fundit të karrierës së tij profesionale. Këto dy ndeshje mbyllin sezonin e rregullt në Major League Soccer, ndërsa sulmuesi i Inter Miami, do të mbushë 35 vjeç më 10 dhjetor.

Rrugëtimit të tij të gjatë i ka ardhur fundi dhe Pipita nuk i ka mbajtur dot lotët: “Pas 17 vitesh e gjysmë si lojtar profesionist, karriera më e mirë që mund të kisha bërë, ka ardhur koha të them lamtumirë”. Argjentinasi, dukshëm i prekur vazhdoi më tej: “Ndjej se futbolli më ka dhënë shumë. Kam dhënë gjithçka e ndoshta edhe më shumë. Faleminderit të gjithë atyre që më janë përgjigjur me besim”.

 

KARRIERA

Orlando City më 6 tetor dhe Montreali më 9 tetor do të jenë dy kundërshtarët e fundit të një karriere brilante. Ajo filloi në Argjentinë me fanellën e River Plate dhe më pas vazhdoi në Madrid me Real. Pastaj erdhi zbarkimi në Itali, mes gëzimeve dhe hidhërimeve, me Napolin, Juventusin dhe Milan. Para eksperiencës amerikane, ishte aventura me Chelsea. Aty gjeti Maurizio Sarri, një trajner me të cilin kishte një raport të bukur. Me të arriti rekordin e 36 golave të shënuar në një sezon të Serie A.

Me Blues Higuain fitoi një Europa League. Në palmaresin e tij janë edhe 3 Liga, po aq Serie A dhe Kupa të Italisë. Ka gjithashtu një Kupë Mbreti, dy Superkupa Spanjolle dhe një Superkupë Italie. Finalist në Kupën e Botës 2014 me Argjentinën, ai shënoi 277 gola në karrierën e tij dhe dha 84 asistime në mbi 500 ndeshje.