Ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, edhe noterët në Shqipëri do ti nënshtrohen një procesi vetingu që do të kryhet nga ministria e Drejtësisë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pr.ligjin i cili do të dërgohet në Kuvend për diskutim dhe parashikon kritere të reja për pranimet në sistemin e noterisë si dhe nxjerrjen jashtë këtij sistemi të noterëve që gjenden në kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar apo me të dënuar për vepra të rënda.

 

“Ndryshimet që propozohen sot jo vetëm që përcaktojnë kritere të reja për ata që do të pranohen në sistemin e noterisë, por as më shumë as më pak është një proces vetingu për noterët që sot janë në këtë shërbim dhe kjo ka të bëjë me verifikimin e kontakteve të tyre me persona të dënuar.

Është veting për sistemin noterial në Shqipëri. Ligji për noterinë që është i vitit 2018 ka përcaktuar dhe mekanizmat e filtrimit. Është Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara dhe hetimeve proaktive do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi. Është një sistem i deleguar, por që përgjegjëse për këtë hetim është Ministria e Drejtësisë” tha Ulsi Manja.