Dy ditë më parë, Beatrix Ramosaj publikoi një video në rrjetet sociale, ku kërkonte që njerëzit t’i jepnin fund bullizmit ndaj saj, familjes së saj, por edhe personave të tjerë që bullizohen online.

Të shumtë ishin personazhet publikë që e mbështetën Trixën në komente. Pa reaguar nuk ka qëndruar as Vera Ora, e cila është piskiatre shumë e njohur, por edhe nëna e këngëtares së famshme, Rita Ora.

Duke ripostuar videon e Beatrixës, Vera Ora ka shkruar: “Stop bullizmit, shëndeti mendor ka rëndësi”.

Beatrix e falënderoi, duke i thënë se ky gjest i saj do të thotë shumë për të. Ndërsa Vera vazhdoi:

“Jemi komb i lashtë, kemi tradita të forta dhe rini të bukur. Le ta ndihmojmë njëri-tjetrin! Pavarësisht se për kë bëhet fjalë, bullizmi nuk ka vend në vendin tonë.”

Vera Ora e mbylli duke thënë se rrjetet sociale e kanë shtuar mundësinë e njerëzve për të shprehur mendimin e tyre, por edhe bullizmin. Ajo shton se shumë prej bullizuesve nuk e mendojnë se si ngacmimet e tyre ndikojnë në shëndetin mendor të personave që bullizojnë.