Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot për herë të dytë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Takimi i liderve është konfirmuar nga zyrtarë të BE-së.  Bisedimi mes Kurtit dhe Vuçiçit do të ndërmjetësohen nga Bashkimi Europian dhe do të përqendrohet, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano, në diskutimin mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve, që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen europiane të Kosovës dhe të Serbisë.

Siç raporton Express, pritjet për zhvillime konkrete edhe nga ky takim janë minimale nga njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi do të nisë në orën 14:00 të pasdites, ku delegacionet e të dyja vendeve së pari do të takohen me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh.