Lufta në Ukrainë ka krijuar “një krizë e të drejtave të fëmijëve”,sipas UNICEF. “Pothuajse dy të tretat e fëmijëve të Ukrainës janë të zhvendosur – qofshin të zhvendosur brenda vendit apo ata që kanë ikur përtej kufijve si refugjatë”, tha Afshan Khan, Drejtoreshë Rajonale për Europën dhe Azinë Qendrore, sipas CNN.

“Fëmijët detyrohen të lënë shtëpitë, miqtë, lodrat dhe sendet e çmuara, anëtarët e familjes dhe po  përballen me pasigurinë për të ardhmen.”

Khan tha se sipas shifrave të OKB-së, 277 fëmijë janë vrarë dhe 456 janë plagosur gjatë rrjedhës së luftës dhe luftimet kanë dëmtuar ose shkatërruar një në gjashtë “shkolla të sigurta” të mbështetura nga UNICEF-i në lindje të vendit.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm tha se 313 fëmijë janë vrarë dhe 579 janë plagosur.

“Siç tregojnë këto shifra, lufta në Ukrainë është një krizë e të drejtave të fëmijëve dhe UNICEF po punon për të mbështetur fëmijët dhe familjet kudo që janë në vend,” shtoi Khan.

Ajo tha se sulmet në zonat e populluara dhe infrastrukturën civile duhet të marrin fund.

“UNICEF-i vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe për të mbrojtur të gjithë fëmijët nga rreziku.Çdo ditë që kjo luftë vazhdon, po shton ndikimin afatgjatë, shkatërrues mbi fëmijët, në Ukrainë, në rajon dhe në mbarë botën”.