Ministrja Belinda Balluku ka inspektuar mëngjesin e sotëm punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës, te Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta- Sheshi “Shqiponja”, ku janë realizuar afro 50% e punimeve. Në këtë segment po punohet me tre turne dhe po avancohet përditë për të përfunduar e vendosur në dispozicion të qytetarëve.

Balluku njoftoi se brenda vjeshtës do të jetë e aksesueshme pjesa lindore e Unazës së re nga TEG-u te Materniteti i ri, ndërkohë që deri më 31 gusht do të jetë hapur edhe tuneli i pestë.

“31 gushti, afati për sa i përket tunelit të pestë në këtë aks dhe më pas vijojmë me dorëzimin e pjesëve të tjera. Për pjesën lindore të Unazës së Re, nga TEG-u te Materniteti i ri janë planet që të përfundojnë brenda vjeshtës të gjitha lotet dhe t’i lidhim me njëra-tjetrën të jetë i aksesueshëm brenda dy muajsh”, tha ministrja.