Një këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë për mediat lokale se propozimi i Rusisë që Ukrainë të ketë një neutralitet “të modelit austriak” është i papranueshëm për vendin.

Mykhailo Podoliak, anëtar i ekipit negociator ukrainas, theksoi se çdo marrëveshje paqeje me Rusinë duhet të bëhet me kushtet që ruajnë sovranitetin e Ukrainës.

“Unë e kuptoj përpjekjen e palës tjetër që të qëndrojë proaktive në procesin e negociatave. Prandaj flasin për neutralitet të modelit austriak apo suedez. Por, Ukraina është tani në një fazë lufte direkte me Rusinë”, deklaroi Podoliak.