Presidenti i Ukrainës thotë se trupat e tij po rezistojnë në dy qytete kyçe në rajonin lindor të Donbasit, pavarësisht sulmeve të përsëritura.


Presidenti Zelensky e quajti taktikën ruse “të çmendur”, teksa bëri fjalimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes, shkruan Sky News.

 

Ai tha se luftimet më të ashpra ishin afër Avdiivka, jashtë Donetsk, dhe Bakhmut, më në verilindje.

 

“Këtu çmenduria e komandës ruse është më e dukshme. Ditë pas dite, për muaj të tërë, ata po i çojnë njerëzit drejt vdekjes, duke përqendruar nivelin më të lartë të goditjeve me artileri”, tha ai.

Rusia është përpjekur vazhdimisht të marrë Bakhmutin, i cili ndodhet në rrugën kryesore për në qytetet Sloviansk dhe Kramatorsk të kontrolluara nga ukrainasit.

Trupat armike sulmuan Bakhmutin tetë herë para drekës në një ditë të caktuar, tha të martën këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych. Megjithatë, ata u ballafaquan me rezistencë çdo herë.

 

Presidenti nuk përmendi se çfarë po ndodhte pranë qytetit jugor të Khersonit, ende i mbajtur nga forcat pro-ruse, por tha se ai priste një luftë të ashpër atje.

“Në përgjithësi, ne po forcojmë pozicionet tona në të gjithë vijën e frontit, duke zvogëluar aftësitë e pushtuesve, duke shkatërruar logjistikën e tyre dhe duke përgatitur një lajm të mirë për Ukrainën”, ka shtuar ai.

 

Një sulm i madh nga Ukraina në Kherson – zona më e madhe urbane ende e mbajtur nga Rusia – është pritur për disa javë, por ende nuk ka filluar.