Pas dy vitesh beteje dhe gjashtë muajsh, shumë të gjatë, pritjeje, Louis Van Gaal buzëqesh sërish: “Trajtimi që bëra funksionoi, më në fund jam shëruar”, tha trajneri i Holandës, i cili prej disa kohësh po përpiqej të mposhtte kancerin e prostatës: “Sapo mbarova ciklin e trajtimeve, mu desh të prisja gjashtë muaj për të parë nëse funksionoi. Tani, zyrtarisht mund të them që shkoi mirë”, tha tekniku 70-vjeçar për agjencinë holandeze të lajmeve ANP.

Trajneri i Orange, i rikthyer në pankinën e Holandës pas eksperiencës së tij në periudhën dyvjeçare 2012-2014 dhe që do të udhëheqë ekipin e tulipanëve deri në Kupën e Botës në Katar (duke filluar nga viti 2023 Ronald Koeman duhet të zërë vendin e tij), kishte thënë në të kaluarën se i ishte nënshtruar njëzet e pesë seancave radioterapie: “Nuk e kam ndaluar kurrë punën – shpjegoi ai – shkoja në spital natën edhe kur isha në grumbullim me ekipin. Megjithatë, nuk doja që lojtarët e mi ta dinin. se isha i sëmurë: situata ime mund të kishte ndikuar tek ata”.