Presidenti Donald Trump do të largohet nga Uashingtoni pak përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, për të filluar jetën e tij post-presidenciale në Florida. Largimi i tij do të bëhet me një ceremoni në bazën ushtarake Andrews, sipas një personi që ka dijeni mbi planet, e që foli në kushte anonimiteti. Zyrtarët po konsiderojnë mbajtjen e një aktiviteti të menduar mirë që do të ketë ndjesinë e një vizite shtetërore, ku do të jetë shtruar një tapet i kuq, do të ketë roje e bandë ushtarake si dhe shoqëruar me 21 të shtëna armësh.

Presidenti Trump ka njoftuar tashmë se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Biden, duke prishur një traditë historike, pasi ka shpenzuar muaj të tërë duke bërë akuza për manipulim të zgjedhjeve në një përpjekje për të delegjitimuar procesin dhe fitoren e  Biden. Nënpresidenti Mike Pence pritet të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.