Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka shumë mundësi që të nisë një Luftë e Tretë Botërore. Sipas Trump, kjo vjen për shkak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po udhëhiqen nga “budallenjtë”.

“Kisha të drejtë për Ukrainën, kisha të drejtë për Tajvanin dhe shpresoj që të mos kem të drejtë për Luftën e Tretë Botërore. Kam frikë sepse po na drejtojnë njerëz budallenj. Mund të nisë një luftë dhe do të jetë një luftë si asnjë tjetër më parë. Putin ka përmendur fjalën me B. E dini ju se cila fjalë është ajo me B? Është bërthamorja dhe ajo fjalë nuk duhej përmendur kurrë. Pushtimi i Ukrainës nuk kishte për të ndodhur nëse do të isha unë ende President”, deklaroi Trump.

Prej kohësh vijojnë deklarata të tilla të ashpra mes ish-presidentit dhe kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë. Më herët Biden ka thënë se mbështetësit e agjendës së Donald Trump “Make America Great Again” (Maga) janë një kërcënim për demokracinë.
Ndërkohë Trump e ka akuzuar të parin e Amerikës se vuan nga demenca.

“Dikush duhet t’ia shpjegojë Joe Biden, ngadalë dhe me pasion se MAGA do të thotë që të bësh Amerikën sërish të madhe. Nëse nuk do ta bëjë këtë gjë me fjalë, vepra dhe mendime, nuk duhet të përfaqësojë Amerikën”, u shpreh ish-presidenti.