edi-rama-shpetim-idrizi-lsa-sakte-mars-2015 (1)_0
“Tregu çam” i politikës shqiptare po kërkon të zgjerohet, pak muaj pasi iu bashkua aleancës qeverisëse me një marrëveshje me Patinë Socialiste. Dhe nuk kërkon pak,por shtrirje në qeveri. Pak kohë pasi u zgjodh nënkryetar i parlamentit (i spostuar më vonë taktikisht me zgjedhjen e Valentina Leskajt), Shpëtim Idrizi i PDIU i kërkon kryeministrit Rama që të bëjë ndryshime në qeveri. Një kërkesë të tillë, që duhet t’ia ketë bërë edhe privatisht, Idrizi e parashtron edhe publikisht. Idrizi është i prerë: kërkon një post ministri dhe përfaqësim në të gjitha nivelet. Dhe vendet për PDIU –në në qeveri e administratë, ai i sheh tek spostimi i LSI, me të cilën PS ka ndarë “tortën e pushtetit”.

“Karriera e asnjë ministri, e asnjë ekuilibër politik, nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptareve që rendin ta braktisin Shqipërinë”, thotë Idrizi, teksa shpreh kritika për qeverinë përsa i përket eksodit të shqiptarëve.

“Unë nuk dua e as do të përpiqem fare të hyj në kompetencat e kryeministrit, por shoqëria shqiptare po psikan, është e depresuar e pashpresë dhe po ikën…Ky kompozim qeveritar me emrat, fytyrat, stilin, përmbajtjen dhe frymën e tij e ka kumtuar mesazhin që ka në këto 2 vite. Nuk po gjykoj as pozitivisht e as negativisht këtë kumt e mesazh, por po them se ka diçka që nuk po u flet shqiptarëve si duhet. Dhe shqiptaret po ikin. Kjo duhet të ndryshojë. E nëse ky ndryshim kërkon edhe ndryshime të dhimbshme emrash, fytyrash, stilesh, përmbajtjeje dhe frymë ministrash, nuk ka pse jo. Karriera e asnjë ministri, e asnjë ekuilibër politik, nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptareve që rendin ta braktisin Shqipërinë”, deklaron kreu i PDIU në një intervistë për gazetën Panorama.

Brrylat ndaj LSI nuk mjaftojnë me thirrjen drejtuar kryeministrit që të mos mbetet peng i saj. Ndaj Idrizi shkon edhe më tej. Ai e inkurajon Ramën, duke i thënë se nuk duhet t’i trembet një ballafaqimi me popullin, në zgjedhje të parakohëshme, nëse prishet koalicioni me LSI.

“Çarjet dhe bashkimet mund të sjellin lajme të bujshme dhe ndoshta tërmete politike, por nuk sjellin as shpresë, as të sotme e as të nesërme. Çarjet dhe bashkimet e kësollojshme janë thjesht e djeshme e trishtë e pashijshme. PDIU –ja qëndron larg kësaj mendësie. Nëse ka ndarje parimore dhe të dinjitetshme, lë të ndodhin. Nuk ka pse të kemi frikë nga ndarje të tilla. Sikurse nuk ka pse të kemi frikë edhe nga ballafaqimi me qytetarët tanë, sa herë ne nuk bashkëqeverisim dot për të mirën e qytetarëve tanë. Kur ka ndarje parimore, edhe ballafaqimi me popullin është procesi më i natyrshëm. Ne politikanët nuk duhet t’u trembemi as t’u shmangemi ballafaqimeve me popullin tonë. Tek e fundit votohemi që të jemi të përgjegjshëm dhe që t’u shërbejmë e t’u japim llogari qytetarëve tanë”.

Por a do ta dëgjojë Rama këshillën ikurajuese të Idrizit? A do ta guxojë ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme për të mos mbetur peng “i ekulibrave politikë” që sipas Idrizit kanë ndikuar në keqqeverisjen që ka dëshpëruar shqiptarët? Në dy intervistat e fundit verore, Rama e ka përjashtuar këtë mundësi dhe ka tentuar ta qetësojë Ilir Metën, i cili duket i distancuar prej tij pasi dyshon se socialistët e prenë në besë në zgjedhjet e 21 qershorit, në zonat kryesore ku LSI pati kandidatët e saj. Ndaj thirrjet e Idrizit janë më shumë një përpjekje e tij për të zgjeruar “tregun çam” dhe pse jo edhe si presion i Ramës ndaj Metës, se ai mund ta prishë koalicionin me të, duke bashkuar votat me LSI apo edhe duke e çuar vendin në zgjedhje.