ministr
Qeveria shqiptare mohon që të ketë qenë pjesë e negociatave të bëra nga një drejtori e Shërbimit Informativ Shtetëror për blerjen e një programi për të përgjuar komunikimet me celular, përfshirë ato me WhatsApp, Viber, Facebook apo Skype.

Burime zyrtare të qeverisë thanë për Televizionin Klan se në dijeni të tyre, as SHISH nuk ishte përfshirë në negociata. Por disa e-maile që kanë shkëmbyer përfaqësues të kompanisë Hacking Team që ofronte pajisjen me punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror tregojnë të kundërtën. Në e –mailet e siguruara nga Wikileaks Emad Shahata, një prej negociatorëve kryesore me shqiptarët, u komunikon kolegëve të tij emrat e të paktën 3 ministrave të qeverisë Rama.

Më 6 shkurt të vitit 2014, në orën 17.23 minuta, në një e –mail dërguar kolegëve të tij Daniele Milan, Marco Bettini dhe Stefania Iannelli, ai shkruan:

I dashur Daniel, në vizitën e fundit që bëmë në Shqipëri, ku folëm për produktin tonë, doja të të informoja se mora një mesazh nga personi në e-mail, i cili më informon se Ministri i Transporteve, të cilin e takuam, kërkon të na takojë sërish për t’u takuar me Ministrin e Brendshëm dhe Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Në e –mail, përfaqësuesit e kompanisë ngatërrojnë emrin e Ministrit të Brendshëm me atë të Presidentit të Republikës, i cili e ka mbajtur më herët këtë post.

Nga informacionet që jepen nga ky e-mail duket që të tre ministrat kanë qenë në dijeni. Megjithëse roli i tyre nuk është provuar.

Kontaktet, përfaqësuesit e kompanisë Hacking Team i kane nisur me Ermal Dautajn. Roli i tij nuk është ende i qartë. Ai nuk është punonjësi i Shërbimit Informativ. Në një e –mail të datës 22 tetor të vitit 2013, Emad Shehata e njofton atë për programin e ri, Galileo, që mundëson përgjimet e aplikacioneve të komunikimit në celularët smartphone. Shkëmbimi i e –maileve mes tyre për të rakoduar një takim me zyrtarët shqiptarë vijon edhe në shkurt të vitit 2014.

Pjesë e komunikimit bëhen edhe dy punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror. Më 22 tetor të vitit 2013 në orën 12.38, Altin Hoxha, i shkruan Emad Shehatës.

“I Dashur Emad Shehata. Faleminderit për e-mailin dhe prezantimin e programit. Ky sistem është realisht ai që ne po kërkojmë në këtë moment për ta përmirësuar teknologjinë tonë. Në jemi të interesuar për të vazhduar kontaktet, por këtë vit jemi në fund të buxhetit dhe nuk janë parashikuar shpenzime të tjera që të na mundësojnë vizitën në zyrat tuaja. Nuk mund të vijmë tani shpejt.”

E –mailet provojnë se ata kane patur edhe komunikim telefonik. Ergys Ligaci, një tjetër punonjës në drejtorinë e përgjimeve në SHISH, më 12 dhjetor të vitit 2013, në orën 15.14 minuta i shkruan Emad Shehatës se parimisht është dakord për të parë programin.

Nga e –mailet e shkëmbyera kuptohet se përfaqësues të kompanisë Hacking Team kanë patur tre takime me konktaktet e tyre. Takimet janë zhvilluar në Dubai, Pragë dhe Tiranë.

TV Klan mësoi se pajisja nuk është blerë. Në vitin 2013 ajo u refuzua për mungesë buxheti, sic pranohej edhe nga Altin Hoxha. E provon këtë edhe një e –mail i Daniele Milan, përfaqësues Hacking Team, i cili më 28 tetor të vitit 2013 i shkruan kolegut të tij David Vincenzetti:

“Përshëndetje David. Mundësia për në Shqipëri, e prezantuar nga Emad, nuk është dërgesë, por provë. Klienti nuk ka buxhet për këtë vit”.

Pajisja nuk u ble përfundimisht po për shkak të mungesës së buxhetit edhe pse negociatat vijuan edhe kete vit.

Ajo që mbetet e paqartë është se kush i udhëhoqi bisedimet dhe roli i secilit nga dy punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ai i Ermal Dautajt. I paqartë mbetet edhe roli 3 ministrave të qeverisë, të cilët ende nuk kanë dhënë komente./Tv Klan/