83304127-1

Vlorë- Aksioni i Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka hasur sot në rezistencën e 130 familjeve të lagjes “Kushtrimi”, të cilët preken nga bashkimi i rrugës Transballkanike me autostradën.

Banorët protestuan kundër shpronësimeve, duke mos lejuar kështu prishjen e banesave të planifikuara nga Inspektoriati.

Ata shprehen se nuk janë dakord me këtë projekt, ndërkohë IKMT u ka lënë afat 5 ditë që të dalin nga banesat.

“IKMT na ka lënë pesë ditë kohë të dalim nga banesat, kjo është e pamjaftueshme, të ishim lajmëruar një muaj më pare”.

Përkundër afatit të lënë, banorët mbeten të vendosur për të mos lëshuar banesat, duke kërcënuar me vetëflijim.

“Do të digjemi me benzinë, Kryeministri të vijë të shikojë gjendjen tonë”.

Banorët e Vlorës hyjnë me forcë në Bashki, priten nga Gjika

Pas protestës, ata kanë hyrë me dhunë në ambjentet e bashkisë së Vlorës, ku i kërkuan kryebashkiakut Gjika të rishikohet plani.

“ Unë jam një qytetar që kam 44 vjet, zonja atje ka hedhur 96 mijë euro. Nga rruga ekzistuese janë 42 metra. Ju kërkoj ju si përfaqësues i yni të pyesni në Qeveri se pse kjo rrugë duhet të fillojë katër metra brenda tokave tona dhe të shkojë 65 metër rrugë. Kujt i shërben ky projekt? Nuk kemi rdhur këtu as të vrasim dhe as të presim, kemi ardhur për një të drejtë tonën që na takon. Të rishikohet ky plan, se nuk ka qenë rruga ashtu”tha një banor.

Në diskutimet me përfaqësinë e banorëve, Gjika deklaroi para tyre se qeveria ka marrë përsipër shpronësimin.

Ai kërkoi që ky takim të jetë një shtysë për të gjithë deputetët e Vlorës, mes tyre edhe kryeministri Rama që edhe ata që janë në proçes legalizimi të dëmshpërblehen.

“Rruga do të ndërtohet.Sot është e enjte, kemi 5 ditë përpara. Besoj do gjejmë një zgjidhje. Mos i vini faj INUK, nuk më intereson nëse ndonjë djalë i ri atje i INUK ka thënë e ka fajin Shpëtimi. INUK e ka për detyrë ligjore. Këto 5 ditë hajde e bëhemi bashkë miqësisht dhe qytetarisht pa luftra dhe zhurma. Kërkoj informacion të plotë sa banesa dhe sa familje janë që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe janë në fazën e legalizimit”.