1_5_0
Deputeti Tom Doshi akuzoi kryeministrin Rama, kryeparamentarin Meta dhe kryeprokurorin Llalla se po i bëjnë presion gjykatës që ai të mos lihet i lirë. Sapo doli nga Gjykata e Lartë e cila hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vendosi masën “detyrim paraqitje”, Doshi bëri një tjetër deklaratë të fortë. Ai tha se do të shkojë në parlament që të flasë përpara të gjithë shqiptarëve, që ata ta marrin vesh të vërtetën. Për herë të parë që pas akuzave që çuan në përjashtimin e tij nga PS, Doshi ka sulmuar ashpër edhe kryeministrin Rama. Ai tha se “Rama po shijon pushtetin, nuk i interesojnë zgjedhjet lokale, pasi siç është shprehur vetë nuk janë tregues për të, ka braktisur PS dhe poi shërben vetëm Ilir Metës dhe LSI –së”. Që prej nisjes së hetimeve, Doshi e kishte kursyer Ramën në akuzat e tij dhe kishte shenjestruar vetëm Ilir Metën. Deklarata e sotme e Doshit është një paralajmërim se ai pritet ta ashpërsojë qëndrimin edhe nga Ramës.