Rikthimi te titulli ishte objektivi i menduar te Tirana, që në momentin që iu dha besim projektit vazhdimësi, me firmën e rinovimit të Orges Shehit. Natyrisht situata kishte edhe ulje ngritjet e saj me largime të dhimshme, sidomos për lojën e teknikut, por merkato rezervoi të tjetëa surpriza, si ajo e rikthimit në bardheblu të Michael Ngo’o. Qendërsulmuesi kishte lënë një memorje të mirë në ambjentin kryeqytetas dhe ishte ai në fushë, krahas Egbo në pankinë, simboli i titullit kampion. Me gola e asist, shtatlarti anglez udhëhoqi skuadrën drejt një serie impresionuese, që në fund u shpërblye me titull.

E lidershipi i Ngo’o i mungoi aq shumë sezonin e fundit 25 herë kampionëve, sa nuk e kulmoi dot as ardhja e Taulant Seferit. Tani, të dy janë aty, tregojnë se dinë të alternohen dhe nuk i heqin hapësirat njëri-tjetrit. Prova e fituar 4-2 me Skënderbeun ishte mjaftueshëm për të kuptuar se bardheblutë kanë stabilitet repartesh, ndoshta disi konfuzional duke qenë se ishte vetëm java e parë, por me karakter e ajo që ka më tepër rëndësi, me lojtarë që dinë të zgjidhin ndeshjen.

Si Limaj, që nuk vonoi të marrë regjinë në mesfushë e si Ngo’o që me dygolëshin në debutim tregoi se nuk i ka harruar sekretet e fushave shqiptare. Tani, sigurisht që është herët, por jo që tifozët bardheblu të bëjnë bashkë forcën e kualitetin e Ngo’o me titullin e fundit kampion. E kush e di nëse historia nuk përsëritet…