Orges Shehin dhe Tirana e tij humbi ndeshjen që nuk duhej. Nuk duhej sepse me dy formacionet që ishin në kuotë të barabartë pikësh, humbësit do ti komplikohej edhe zona Europiane, ashtu si në fakt tregon tani renditja e kryeqytetasve, që po shohin gjithnjë e më larg, Partizanin, Teutën e Lacin e tani mbetën pas edhe Kukësit. Stabilitetin kërkonte Shehi, në fushë e në rezultat, por asnjë prej tyre nuk u arrit, edhe pse po të shohësh pjesën e parë të Tiranës nuk mund ti heqësh asgjë zgjedhjeve të teknikut. Kampionët në fuqi vuajtën një start të ngadaltë të ndeshjes e u vunë përfund nga një episod që mund të ishte shmangur.

Reagimi është ai nga i cili Shehi duhet të nisë në të ardhmen. Celhaka krijoi besueshmëri, Kale inspiroi e Seferi tërhoqi skuadrën përpara, ndërsa Muci ishte vetëm i pafat, por duket se e ka mbledhur mendjen për të përfunduar sezonin me fanellën bardheblu dhe ky është një lajm që mund ti bëjë punë edhe Shehit. Gjashtë mundësi të mira shënimi, më flagrantja shtylla e 19 vjecarit dy minuta nga pushimi, që krijuan idenë e një rrethimi të vërtetë të kundërshtarit në pjesën e dytë. Nuk ndodhi kështu, sepse kushtet e fushës të rënduara nga reshjet e vazhdueshme e vështrësuan edhe më shumë rendimentin fizik të Celhakës e Kalesë, të ardhur nga dëmimet e gjata dhe ende jo me 90 minuta në këmbë. Tekniku i konsideron shumë të rëndësishëm për të bërë pa ta, aq sa Celhaka u zëvendësua vetëm në të 69, ndërsa braziliani 7 minuta nga fundi, por rëniën fizike të tyre e ndjeu gjithë skuadra, që në pjesën e dytë stonoi, nuk bëri asgjë nga performanca e të parës dhe e pa veten të dalë e mundur nga një kundërshtar, që kishte gjithashtu problemet e tij.

Një humbje atëherë kur nuk duhej e që e kthen Shehin ekzaktësisht aty ku e nisi, i detyruar të punojë psikologjikisht me skuadrën, me shpresën që Celhaka e Kale të arrijnë sa më shpejt të përballojnë 90 minutat e lojës…