tifoz
Tifozët kuqezinj janë nisur sot nga Tirana, me autobusë, për të mbërritur në Kopenhagë ditën e ndeshjes dhe për ta mbështetur kombëtaren shqiptare në një nga sfidat më delikate të kësaj fushate kualifikuese.

Fjala është për ata që nuk kanë pasur mundësi financiare të shkojnë me avion në kryeqytetin e Danimarkës, por kanë zgjedhur rrugën shumëfish më të gjatë, me autobusë, duke mos pyetur për kilometrat e tëra që duhet të përshkojnë, vetëm për të asistuar në “Telia Parken” mbrëmjen e 4 shtatorit, me shpresën se do të gëzojnë si 4 shtatorin e vitit 2014, kur mundëm kampionët e sapokurorëzuar të Europës, Greqinë.

Nga qendra e Tiranës janë nisur dhjetëra autobusë me tifozë shqiptarë, që nëpër dritaret e tyre tifozët valëvisnin flamurin kuqezi dhe bërtisnin “Shqipëri, Shqipëri”. Janë mbi 2 mijë persona, që janë pajisur me bileta nga FSHF-ja dhe do të vendosen në sektorin e përcaktuar nga organizatorët e ndeshjes në stadium. Mirëpo, rreth 6 mijë të tjerë, nga vende të ndryshme të Europës, emigrantë shqiptarë, kanë arritur të sigurojnë bileta në sektorët e stadiumit për tifozët vendas, transmeton telesport.
Sipas mediave daneze, ata rrezikojnë të mos hyjnë në stadium, duke u “filtruar” që në hyrje të “Telia Parken” nga policia. Ata që do të identifikohen përmes emrit, se janë shqiptarë, do të kthehen mbrapsht. Kush depërton brenda stadiumit dhe konstatohet duke festuar për kuqezinjtë në pjesën e tifozërisë daneze, do të nxirret menjëherë nga stadiumi.

Të gjitha këto masa të marra nga Federata Daneze e Futbollit janë konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe ligjeve daneze në fuqi, por për hir të sigurisë dhe mbarëvajtjes së ndeshjes, autoritetet përkatëse organizatore thonë se janë të detyruar të veprojnë kështu. TKZ e Skandinavisë ka përgatitur edhe një flamur gjigand kuqezi, të cilin do ta shpalosin sa është sipërfaqja e pjesës së stadiumit, ku do të vendosen shqiptarët. Për këtë, ata kanë marrë lejen e policisë daneze. Po ashtu, tifozët e këtij tifo-grupi, do të pajisen me shaje të kombëtares para se të hyjnë në stadium, ditën e ndeshjes.

Ndërkohë, mësohet se TKZ e Skandinavisë ka menduar për një pritje të ngrohtë në Aeroportin e Kopenhagës për kombëtaren shqiptare. Ata njoftojnë se do të jenë aty në momentin e mbërritjes së kuqezinjve, rreth orës 17:25. Kjo degë e tifo-grupit më të madh e të organizuar të kombëtares sonë fton gjithë shqiptarët në Kopenhagë që “të veshur Kuq e Zi t’i presim kampionët tanë më së miri, ashtu siç dimë vetëm ne! Tifozat Kuq e Zi do të jenë aty!