Tifozet kuq e zi
Ndeshja Shqipëri – Portugali shërbeu si test për aftësinë e policisë për të garantuar qetësinë në ndeshjen që do të luhet me Serbinë. Mbi 800 forca policore u angazhuan të hënën. Kontrollet ishin të imtësishme. Por këto masa kanë lënë të pakënaqur grupin më të madh dhe më të zjarrtë të tifozerisë shqiptare, Tifozat Kuq e Zi. Ata i janë drejtuar me një letër të hapur Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme, ku shprehen të irrituar me sjelljen e policisë. Sipas tyre, ishte e papranueshme që femrat tifoze u kontrolluan imtësisht nga policët meshkuj.

Deklarate për ndeshjen Shqipëri – Portugali

Drejtuar: Federata Shqiptare E Futbollit dhe Ministria e Punëve të Brendshme

Ishim koshient për masat që do të merreshin për sfidën ndaj Portugalisë, kur ajo është vetëm një muaj larg ndeshjes së rëndësishme me Serbinë. Por sigurisht askush nuk priste një trajtim të tillë poshtërues, si ai që kemi vuajtur në ‘’Elbasan Arena’’. Një hyrje në stadium që ngjasonte me hyrjen në një doganë të një shteti armik që të identifikonte nga veshja.

Transparentët tanë ‘’Tifozat Kuq e Zi’’ dhe “O sa mirë me qenë Shqiptar!’’ janë ndaluar në fillim të ndeshjes të vareshin në tribunën tonë duke kërkuar të hiqeshin apo vendoseshin në stadium sipas qejfit të momentit që kishte secili prej ‘’shefave’’ që i kontrollonte. Transparent që na kanë shoqëruar në tribunat shqiptare tash e 12 vite të veprimtarisë tonë.

Janë ndaluar veshje me figura kombëtare, si ato të: Isa Boletinit, Ismail Qemalit, Çerçiz Topullit, si dhe shprehja Autochtonous. Duke zhveshur, dhe më pas plaçkitur, nga Policia e Shtetit Shqiptarë (veshje apo gjësende të tifozave që nuk u kthyen kurrë mbrapsht).

Në hyrje të sektorëve nuk kishte kontrollore femra, dhe tifozet femrat janë detyruar të kontrolloheshin prej policëve meshkuj, ose përndryshe nuk do të mund të futeshin në stadium. Përsëri një sjellje tejet arrogante (ju kërkojmë të merrni kamerat e sigurimit në stadium për verifikim).

Na u është cunguar e drejta bazike për ujë të pijshëm. Në 5 orë qëndrimi në stadium nuk kishim mundësi të blinim qoftë dhe një gote ujë. Ndërkohë kjo e drejtë nuk ju ka munguar policisë apo sigurimit të stadiumit.

Prandaj u bëjmë thirrje dhe kërkesë të gjitha institucioneve shqiptare që marrin përsipër mbarëvajtjen e ndeshjeve të Kombëtares, që pikësëpari të respektojnë ligjin shqiptar dhe jo “tekat” e shefave apo eproreve, ligjin i cili nuk ndalon asgjë nga pikat e sipër përmendura.

Në rast të mos marrjes së masave paraprake që nga ndeshja me Serbinë këto institucione duhet të marrin përsipër edhe përgjegjësitë për situatat e pakëndshme që mund të ndodhin në stadium, gjë që nuk do t’i sillte përfitime askujt.

Tifozat Kuq e Zi

O sa mirë me qenë Shqiptar!”.