Botërori i Katar 2022 vazhdon të dhurojë surpriza. Edhe 1/8, faza e parë eliminatore e turneut nuk ka bërë përjashtim. Mes tetë më të mirëve të Botërorit është edhe një outsider: Maroku. Skuadra e Regregui eliminoi Spanjën, duke arritur për herë të parë në çerekfinale të turneut. Kush do të mendonte, që afrikanët do të nxirrnin jashtë tiki-taka e iberikëve të Luis Enrique.

Një befasi që ndoshta i shkon për shtat Portugalisë së Fernando Santos. Një arritje mund të quhet edhe ajo e vetë luzitanëve, që nuk kalonin 1/8 që nga 2006. Tekniku për momentin do të shijojë lumin e golave me të cilin të tijtë eliminuan Zvicrën (6-1), para se të mendojë për Marokun. Çerekfinalistë e tjerë të Katar 2022 janë emrat e zakonshëm. Brazili spektakolar i Tite do të luajë kundër nënkampionëve në fuqi të Botës. Kroacia është sfilitur me penallti për të kaluar Japoninë, por kundër Selecao aq nuk do të mjaftojë.

 

Përplasje klasi mes Holandës e Argjentinës. Asnjë dyshim se të dy kombëtaret do të vinin në këtë përballje, duke qenë se SHBA dhe Australia nuk kishin nivelin për të penguar dy nga pretendentët për Kupën e Botës. Do të jetë sfida e 10 mes tyre, me amerikano-latinët që kanë fituar vetëm 1 nga 5 të fundit. Gjithësesi, më e paparashikueshme është përballja epike mes Francës e Anglisë. Të dy pretendentët duhet të tregojnë në këtë ndeshje ambicjet e tyre. Skuadra e Deschamps, kampione në fuqi, do të sfidojë nënkampionët e Europës. Tetë skuadra do të vazhdojnë garën në Katar 2022. Pesë europiane, dy amerikanojugore e një afrikane do të rikthehen në fushë në 9 dhjetor.

ÇEREKFINALET

Holandë VS Argjentinë
Kroaci VS Brazil
Angli VS Francë
Marok VS Portugali