Banorët e Heraklionit kanë qënë të shqetesuar mbrëmë për shkak të lëkundjeve të termetit, që nisën në pjesën jugore të prefekturës duke kulmuar me tërmetin e fortë prej 5.1 të shkallës Rihter.
Thellësia fokale ishte 8.9 kilometra dhe lëkundjet u ndjenë edhe në Rethymnon dhe në Kretën lindore. Zona vazhdoi të dridhej gjatë gjithë natës duke dhënë të paktën 25 pasgoditje.
Pak pas mesnatës së të enjtes, në zonën e Kaminias, në Heraklion, siç raportojnë dëshmitarët në Cretalive një pjesë betoni e çatisë u shemb nga një shtëpi, duke shkatërruar edhe një ballkon.
Sipas asaj që është bërë e ditur, në katin përdhes të këtij pallati jeton një familje që në atë kohë ndodhej brenda shtëpisë! Për fat të mirë, siç raportohet, nuk ka pasur të lënduar!
Në orën 02:20 kishte ndodhur pasgoditja e 17-të me magnitudë 3.9 Rihter, ndërsa i kishin paraprirë dy të tjera me të njëjtin intensitet.
Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra ndodhej 6 kilometra në jug-perëndim të Moiras në Heraklion, në të njëjtin vend ku ndodhi tërmeti 5.1 Rihter.
“Është ende herët për të thënë nëse është tërmeti kryesor”, tha për mediat greke presidenti i OASP, Efthymios Lekkas, për tërmetin 5.1 Rihter që ndodhi natën e së enjtes 7 km në jug-jugperëndim nga Fatet e Heraklionit.
Nga ana e tij, sizmologu Gerasimos Papadopoulos, me postimin e tij në Facebook, theksoi se: “kërkohet monitorim dhe vlerësim shumë i kujdesshëm nga shkencëtarët dhe masa mbrojtëse nga autoritetet vendore, siç parashikohet në planin operacional EGLADOS”.