Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka reaguar lidhur me incidentet e sotme në veri të Mitrovicës, ku Policia e Kosovës po zhvillonte një aksion kundër kontrabandës së mallrave. Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vënë në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkruajti Borrell në Twitter.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion kundër kontrabandës së mallrave. Si rezultat i këtij aksioni 6 pjesëtarë të policisë janë lënduar kurse janë arrestuar 8 persona.