I dërguar i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO, Gjeneral Mireca Geoana dhe i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar zhvilluan një takim trepalësh në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Kosovë, ku tensionet e muajit të kaluar arritën kulmin me bllokimin e rrugëve nga ana e serbëve për shumë ditë.

Në një reagim në rrjetet sociale, përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Lajçak shkroi se në takim u diskutua gjithashtu dhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Diskutuam zhvillimet e fundit në dialog, duke përfshirë veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë për të adresuar gjithashtu bashkërisht çështjet në NATO”, shkroi Lajçak.

Ndërkaq një reagim zyrtar për këtë takim trepalësh është bërë edhe nga NATO, ku në komunikatë bëhet me dije se bisedimet e së hënës ishin pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Mes të tjerash, Geoana theksoi përpjekjet intensive të kryera nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për të zbutur tensionet e fundit, veçanërisht në veri të Kosovës. Ai gjithashtu nënvizoi mbështetjen e ofruar nga KFOR dhe EULEX në largimin e barrikadave, të cilat kanë ndihmuar në rivendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes në mbarë Kosovën. Kujtojmë se për 20 ditë me radhë, në dhjetorin e vitit të kaluar, grupe të serbëve lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.