Protestat e dhunshme vazhduan edhe të mërkurën në mbrëmje në Shkup, për të penguar miratimin e propozimit francez për një kompromis midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do t’i hapte rrugën fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në sheshin Skënderbej të Shkupit pati të shtëna me armë zjarri, që nxiti më pas një shkëmbim të ashpër akuzash mes opozitës dhe partive në pushtet. Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se kishte qenë në shënjestër të sulmit me armë. Në një konferencë shtyp Mickovski e drejtoi gishtin nga qeveria, për sulmin që sipas mediave ka si autor një shtetas shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

“Prej shumë kohësh kam marrë njoftime për përpjekje për eliminimin tim dhe ajo pistoletë sot, më kishte mua në shënjestër. E gjitha kjo është planifikuar nga pushteti sepse policia mungonte, kur personi filloi të hapë zjarr.”

Policia ka vënë në pranga personin që dyshohet të jetë përfshirë incident, ndërsa forcat speciale ndërhynë për shpërndarjen e grupit të protestuesve. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate në pushtet ka ngritur dyshime se VMRO-ja po sajon incidente për të përshkallëzuar situatën dhe tha se personi i armatosur, është vëllai i një funksionari të Aleancës për Shqiptarët, për të cilin LSDM thotë se ka bërë fushatë për VMRO-në.