Pas përfundimit të seancës plenare gjatë së cilës foli presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediet duke kërkuar ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Rusinë. Berisha kërkoi që ambasadori rus në Shqipëri të largohet, ndërsa ai shqiptar të tërhiqet nga Moska. Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla i është përgjigjur Berishës. Lidhur me kërkesën e Zelenskyt, për mos pritjen e turistëve rusë në Shqipëri, Balla tha se nëse kjo do të dëmtojë agresorin do të merren masa.

“Për të gjithë ishte e qartë edhe pozicioni i Shqipërisë i shprehur nga kryeministri Rama. Dhe po ashtu i qartë ishte edhe vlerësimi nga zoti Zelensky. Në këtë aspekt kashtë mbi tjegulla mund të pretendojë të vendosë gjithkush. Nuk është momenti që politikanë të caktuar që e kanë mbyllur kapitullin e tyre të vijnë me propozime që as nuk kanë vlerë. Agresioni i pajustifikueshëm rus e ka bërë botën më të bashkuar se kurrë. Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat. Të merremi me gjëra serioze dhe jo me tullumbase populiste të ndonjë politikani që koha i ka mbaruar me kohë. Zoti Berisha nuk ekziston për mua”, tha Balla.