Tahiri Zagani
Saimir Tahiri gjeti një tjetër alibi për akuzat që i ka bërë ish –shefi i antidrogës së Fierit, për lidhje me grupe të fuqishme të trafikut të lëndëve narkotike në Fier. Ai tha se qeveria e kaluar e ka blerë intervistën e Dritan Zaganit, pasi i ka dhënë atij një pronë në Orikum. Njëkohësisht Ministria e Brendshme shpërndau një vendim të qeverisë Berisha qe mban datën e 13 qershorit të vitit 2013. Në këtë vendim emri i Dritan Zaganit figuron si përfitues i një stalle, ish –ekonomi ndihmëse, në Orikum, bashkë me një shtetas tjetër. Nga vendimi përfitojnë 11 persona gjithësej. Për ministrin Tahiri ky vendim i qeverisë e ka bërë Dritan Zaganin ta akuzojë atë. Megjithatë ai nuk u dha përgjigje disa detajeve të bëra publike nga Zagani. Përse makina e tij është përdorur nga të dyshuar si anëtarë të një grupi të narkotrafikut në Vlorë e që sipas Zaganit kanë lidhje farefisnore me ministrin? A ka ai një skaf në Vlorë që administrohet nga kushërinjtë e tij? Sipas Dritan Zaganit, për shkak të këtyre lidhjeve, aksionet e tij ishin dekonspiruar nga koka të policisë, që vepronin nën urdhërat e Minisrit. Tahiri nuk u dha përgjigje këtyre pyetjeve. Ai nuk tha gjithashtu as nëse vendimi i qeverisë Berisha ishte i ligjshëm apo jo. Dhe as se për çfarë ishte përdorur stalla që kishte kaluar në pronësi apo nëse kishte anomali në këtë proçes, nga i cili vetëm në këtë vendim kanë përfituar 10 persona të tjerë.