Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka kundështuar Ministrin e Shtetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i cili tha se taksa e sheshtë është varfëruese ndërkohë që premtimin për uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18% e quajti një gënjeshtër të madhe që nëse realizohej do “t’i linte shqiptarët pa pensione”.

Tabaku shkruan në rrjetet sociale se me taksën e sheshtë do të rriten investimet e huaja si dhe kjo do të sjellë një mënyrë trajtimi të ndershme dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.

“Shqipëria fiton me taksën e sheshtë sepse investimet e huaja direkte do të rriten, Shqipëria sot nuk ka më investime të huaja. Por ajo do të fitojë nga rritja e tyre përmes taksës së sheshtë 9%.

Shqipëria fiton me taksën e sheshtë pasi shqiptarët do taksohen në mënyrë të ndershme dhe barabartë. Bizneset nuk do të mbitaksohen ndërsa një pakicë favorizohet. Jo! Shqipëria fiton kur të gjithë taksohemi në mënyrë të barabartë.

Shqipëria fiton kur shtresa e mesme, që sot diskriminohet do të mund të sigurojë me shumë të ardhura përmes taksës së sheshtë.

Taksa e sheshtë do të rrisë formalitetin, do të eleminojë favorizimet dhe do të nxisë ekonominë”, shkruan Tabaku.