Një humbje e dytë, këtë herë në shtëpi, përballë Dudednlange dhe Champions mbetet edhe njëherë e përpjetë për kampionët e Shqipërisë. Pas daljes së shpejtë, që në raundin e parë në kompeticionin e Kupës me veshë të mëdhenj, qendrojnë arsye nga më të ndryshmet, nga buxhetet te lëvizjet në merkato, por në këtë të fundit duket se është çmimi më i lartë për tu paguar. Largimet me peshë rëndojnë, sidomos kur janë të pambuluara si në rastin e Hoxhallarit dhe në fund kemi një skuadër të detyruar të luajë me ata që kishin mbetur në skuadër, me ndonjë shtesë të atyre që mundën të gjenin shpejt në merkato.

Vitet e fundi, nga ato nën impaktin e pandemisë te ky i fundit nën shenjën shtrënguese të Botërorit në dimër, kanë treguar se kohët nga një sezon në tjetrin janë të ngushta dhe për të gjetur lojtarët cilësorë apo ato që i duhen skuadrës bëhet e vështirë, nëse nuk është ndërtuar më parë një strategji. E provoi Tirana që kërkonte të paktën një qendërsulmues të aftë të shkonte në dopioshifra e një qendërmbrojtës të nivelit: për të dy duke marrë refuzime të vazhdueshme.

E atëherë, me lojtarë të lënë të lirë nga klubet e tyre të mëparshme nuk mund të pretendosh të kalosh Dudenlange. Bardheblutë ishin pa fantazi, makinozë, e Shehi nuk kishte alternativa për të ndryshuar lojën: Ismajlgeci në të djathtë ishte një nga dëshmitë, ashtu si fakti që dy ndeshjet u përballën me formacion pothuaj identik. Nëse kësaj situatë i shtohen gabimet individuale të bëra në rastet e dy golave të parë të Limajt e Totres precipitimi bëhet i pashmangshëm. Tirana u ankua për fushën e vogël në Luksemburg, por kthimi ishte konfirmimi se nuk ishte cështje fushe: kryeqytetasit e humbën ndeshjen kur kaluan nga superioriteti numerik në barazi lojtarësh e disavantazh golash në vetëm 5 minutash: mund të jetë edhe cështje eksperience, por është një detaj që nuk duhet anashkaluar .