Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin se misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë nëse “rrezikohet stabiliteti”. Këto deklarata ai i bëri më 3 gusht gjatë një bisede me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin bisedoi lidhur me tensionet e fundit në veriun e Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes demokracisë. Misioni i NATO-s, KFOR, bazuar në mandatin e Kombeve të Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, tha Stoltenberg përmes një postimi në Twitter.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën më 1 gusht dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.