Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nga foltorja e Kuvendit ironizoi opozitën duke thënë se atëherë kur duhej të merrej vendimi i BE për Shqipërinë, opozita braktisi institucionet duke i sulmuar ato.

Sipas saj, të gjitha arritjet drejt integrimit janë meritë e qeverisë. Më tej ajo u  shpreh se i takon BE që të caktojë datën për konferencën ndërqeveritare pasi Shqiperia i ka përmbushur të gjitha kushtet.

“Janë po të njëjtët njerëz që pa turp dhe u skuqur flasin për perspektivën evropiane, kur ishin ata që sulmuan fizikisht institucionet, por edhe me forcën e vendimit të kryetarit të tyre dhe ish-kryetarit për të ruajtur sigurinë familjare larg nga drejtësia e re.

Ju them me përgjegjësi që nëse ka një mazhorancë që ka bërë të pamundur për integrimin është kjo mazhorancë.

Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore konsiderohen si detyra të kryera janë falë kësaj mazhorancë, pavarësisht sabotimit të zgjedhjeve.

Ne përmbushëm të gjitha detyrat. Miratimi i reformës zgjedhore, Gjykata Kushtetuese dhe e lartë plotësisht funksionale, ngritja e SPAK dhe BKH dhe lufta kundër korrupsionit dhe trafikut, këshilli i 25 marsit përcaktoi këto përparësi.

Presidenca gjermane tha në fund të vitit që Shqipëria i ka bërë detyrat dhe tani i takon BE që të mbajë fjalën dhe në këtë 6 mujor të përcaktojë kornizën negociuese dhe datën për konferencën ndërqeveritare.

Shqipëria dhe ne si komb nuk kemi qenë kurrë më parë më pranë këtij procesi dhe më pranë Evoprës”, tha ndër të tjera Spiropali.