Pas 4 orësh nga nisja e procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të PD, Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi tha se gjithçka ka shkuar normalisht. Sipas saj deri në 11:00 kanë votuar në 108 qendra votimi 14012 anëtarë.

Vokshi tha se sot është vështirë të thuhet se sa anëtarë të rregjistruar ka PD-ja.

“Është në fakt një punë në progres. Lista me të cilën është punuar gjatë votimeve të fundit është e vetmja listë e plotë e gjetur në PD, ajo e vitit 2019 dhe kemi pranuar se është një listë fiktive.

Pra, askush nuk e di se sa është numri real i anëtarësisë së PD-së pasi listat kanë qenë tepër të fryra. Pas votimeve të referendumit siç dhe ju kemi bërë me dije ka pasur shumë demokratë të cilët kanë votuar me kartat e tyre të anëtarësisë në PD, kartat që nga 1990 dhe ndër vite.

Kjo gjë ka vijuar dhe për primaret. Pavarësisht se kemi shtuar anëtarësinë që ka votuar për referendumin, edhe në primare, por edhe në votimet për kryetar të PD-së janë paraqitur pranë qendrave të votimit anëtarë të PD-së të cilët kanë votuar me karta” – tha Vokshi.