Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Zakonisht shtetet e shpallin kandidaturën e tyre për Këshillin e Sigurimit vite më parë. Por ndodh që ka edhe vende që konkurrojnë në momentet e fundit. Këtë vit, Republika Demokratike e Kongos vendosi muajin e kaluar të vinte kandidaturën, duke vënë në dyshim anëtarësimin pothuajse të sigurtë për dy shtetet e tjera afrikane, Gabonin dhe Ganën. Megjithatë këtë javë, njoftimet nga Afrika vinin në dukje se Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi ka vendosur ta tërheqë kandidaturën.

Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.

‘E mjerueshme’

Veprimet e tij supozohet të parandalojnë dhe zgjidhin konflikte, por në vitet e fiundit, kritikët thonë se pikëpamjet kontradiktore, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm, kanë bllokuar marrjen e vendimeve për çështje urgjente.

“Veprimet e Këshillit të Sigurimit për krizat e fundit kanë qënë të mjerueshme”, i tha Zërit të Amerikës drejtori i organizatës “Human Rights Watch” për OKB-në, Louis Charbonneau.

“Për krimet e luftës në Gazë, shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Mianmar, apo krimet në rajonin Tigray të Etiopisë, e shumta që ka bërë Këshilli i Sigurimit, edhe kjo, në se ka qënë me fat, ka qënë thjesht shprehja e shqetësimit”.

Votimi i përvitshëm për zgjedhjen e 5 nga 10 antarëve jo të përhershëm, grumbullon qindra diplomatë në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme, ku vendet kandidate finalizojnë fushatën e tyre disa mujore për t’u zgjedhur.

Por mjediset e OKB-së janë në zemër të Nju Jorkut, të goditur rëndë nga pandemia e Covid-19. Qyteti shpalli rihapjen para tri javësh, por disa kufizime janë ende në fuqi brenda mjediseve të OKB-së, ç’ka do të bëjë që në votim të jenë të pranishëm fizikisht pak diplomatë.

Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami.

Mandati i antarëve të rinj fillon më 1 janar. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia./VOA/