Temperaturat e larta ekstreme duket se do të marrin fund ditën e nesërme. Sinoptikanët parashikojnë se në fillim të korrikut pritet që i nxehti të tërhiqet, për ti lënë vendin një moti normal për muajin korrik.

Lajda Porja u shpreh se rënia e temperaturave do të jetë me dy deri në 3 gradë, ndërsa parashikon që moti do të jetë i favorshëm për pushuesit, pasi nuk do shkojnë 40 gradë, sic kanë qenë në ditët e qershorit.

“Në fakt siç e theksuam qershori do të mbyllet me temperatura të larta, do të kemi temperatura deri në 40 gradë. Qarku i Beratit do e kalojë këtë vlerë, mund të jetë 40.3 gradë. Korriku do të na leje të marrim frymë. Kjo valë pritet të tërhiqet gradualisht. Në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi pritet temperatura mbi 42 gradë. Ndërsa në Shqipëri do të jetë dita e fundit me këto temperatura.

Do të ketë rënie me 2-3 gradë në mëngjes, dhe 1-2 gradë në darkë. Termometri do të zbresë deri në 31-33 gradë deri më datë 6 korrik. Muaji korrik parashikohet me temperatura 33 34 gradë, do të kemi shkëputje tre ditore ku do të kemi temperatura 38-39 gradë në datat 7,8,9. Më pas do të kemi ditë me vlera tipike korriku.

Megjithatë e gjithë vija bregdetare do të jetë e favorshme për të pushuar sepse temperaturat nuk do të jenë mbi 42 gradë siç janë regjistruar në fund të qershorit”, tha Lajda Porja për News24.