Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca i ktheu përgjigje deputetit socialist Erion Braçe në lidhje me skemën e grumbulluesve e denoncuar si ky i fundit si abuzuese. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Krifca deklaroi se gjatë kohës kur ka qenë zv/kryeministër ka qenë ai që e ka promovuar këtë politikë me vendimet e tij.

“Nuk kam asnjë kontratë të lidhur as nën tavolinë dhe as poshtë tavoline. Çdo kontratë është marrëdhënie juridike që përcakton detyrime ligjore për të zgjidhur problematikat. Nuk mund të zgjidhet me një vendim të thjeshtë për prishjen e kontratave. Ne duhet të bëjmë vendime të matura. Do i kisha mirëpritur nëse problemet me kontratat t’i kishit adresuar në zyrën time.

Do kisha qenë më eficente për gjetjen e zgjidhjes. Marrëdhënia grumbullues, tregtar dhe fermer është një marrëdhënie e shenjtë. Ju keni qenë zv/kryeministër dhe e keni promovuar këtë politikë me vendimet tuaja, Patjetër ka nevojë për shumë transparencë, por ne kemi në dispozicion vetëm instrumentet e tregut të lirë me përgjegjësinë për të ndihmuar konkurrencë të lirë në treg. Nuk mund të shkojmë kundra kësaj politike sot.

Mund të punojmë bashkarisht për ta përmirësuar aty ku ka vend. Për të nxitur më shumë transparencë. Por nga hiçi nuk i kthehemi dot kundër. Sepse ajo ka sjellë rezultatet që ne sot krenohemi. Nuk ndodh mrekullia nga hiçi. Por nga puna dhe nga ky zinxhir i krijuar bashkarisht”, tha Krifca.