Pavlina Ylli

Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik disponon leje qëndrimi si minoritare greke. Ky fakt është zbuluar nga gazetari Arben Llalla, i cili e ka publikuar dokumentin e konsulles Pavlina Ylli në faqen e tij në Facebook. Javën e shkuar, në një debat të ashpër në Komisionin e Jashtëm, kryetarja Arta Dade i tha Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati se kishte emëruar një emigrante si konsulle në Selanik, jashtë çdo kriteri ligjor. Por Bushati e mohoi këtë dhe u përgjigj se ajo ishte një kampione. Ish –atletja Pavlina Ylli është me origjinë nga Korça dhe nuk është minoritare. Zëra brenda mazhorancës thonë se ajo është emëruar në këtë detyrë për shkak të lidhjeve familjare me një deputet të Kuvendit të Shqipërisë.
Në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, kryetarja e komisionit, Dade dhe deputeti Ben Blushi folën për të paktën dy raste të tjera ambasadorësh të emëruar jashtë kritereve ligjore dhe të kthyer nga vendet përkatëse.
Ministri Bushati i mohoi edhe këto raste dhe iu kundërpërgjigj deputetëve të mazhorancës se po flisnin me gjuhën e Presidentit të Republikës, i cili ishte në fakt i pari që foli për refuzime ambasadorësh nga vendet pritës.