Situata në veri, reagon Vuçiç: KFOR-i ka refuzuar kërkesën tonë për kthimin e trupave në Kosovë

8 Jan 2023

Në mesin e dhjetorit, autoritetet në Serbi i dërguan zyrës së misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, një kërkesë për dërgimin e deri në 1.000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për televizionin serb, Pink, më 8 janar, ai tha se KFOR-i në përgjigjen e tij ka thënë se nuk ka nevojë për dërgimin e forcave serbe.

“KFOR-i na u përgjigj se nuk ka nevojë që forcat tona të kthehen në veri të Kosovës dhe Metohisë, siç e prisnim, edhe pse sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën tonë sepse ata nuk pyetën për këtë”, tha ai.

Vuçiç tha gjithashtu se mbetet të shihet nëse Beogradi zyrtar do t’i drejtohet OKB-së dhe do të kërkojë të deklarohet në seancën e Këshillit të Sigurisë.

Ai tha se nëse kjo do të bëhej, Serbia do të mbështetej nga Rusia, por rezultati do të ishte konfirmimi i vendimit të KFOR-it.

“Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, ta lëmë (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurti, të komentojë se si e refuzoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Vuçiç.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.

Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.

Ai po ashtu tha se do të monitorojë dhe paralajmërojë për situatat ku, siç tha ai, KFOR-i nuk i ka mbrojtur serbët në Kosovë, ku përmendi plagosjen e një 11-vjeçari dhe një 21-vjeçari më 6 janar në komunën e Shtërpcës në Kosovë, ku jeton popullata shumicë serbe.

Autoritetet në Kosovë e dënuan incidentin dhe njoftuan se në të njëjtën ditë kishin arrestuar të dyshuarin.

Autoritetet në Serbi kanë marrë vendim që të dërgojnë kërkesë që pjesëtarët e forcave të saj të sigurisë të dërgohen në Kosovë, si reagim ndaj asaj që pretendojnë se ka prani të shtuar e policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Për njëzet ditë me radhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore u vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare të Kosovës dhe Serbisë.

Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, i cili sipas autoriteteve kosovare dyshohet se ka organizuar një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Serbët vendosën t’i heqin barrikadat pas ndryshimit të masës së sigurisë së Dejan Pantiçit nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Paraprakisht, serbët nga veriu i Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë. Dy vendet, qysh në vitin 2011, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian./REL

tags

Dëmet nga vërshimet, Mozzik ofron shumën e madhe për ndihma

Furnizoi Ukrainën me tanke Leopard, Rusia ‘hakmerret’ ndaj Gjermanisë

‘Shpresoj që ai të vijë këtu’, shoku i Lewandowskit flet për përfundimin e karrierës së yllit polak në MLS

Horoskopi ditor, 27 janar 2023

“Java më e vështirë që kur jam te Tirana”: Shehi tregon dilemat dhe ankthin e krijuar nga situatat jashtë fushës