Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e pushtetit vendor në lidhje me gadishmërinë dhe masat e emergjencave civile mbi situatën e zjarreve në këtë sezon veror. Rama tha se zjarret janë një problem serioz, ndërsa nuk kurseu as kritikat. Kryeqeveritari tha se bashkia e Durrësit ka bërë një punë të mirë për pastrimin, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zjarret.

“Zjarret janë një problem serioz. Arsyeja kryesore pse jemi këtu bashkë është se nuk mund të trajtohet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Emergjencat Civile. Sepse mbrojtja civile është përgjegjësi e të gjitha niveleve të pushtetit. Edhe e nivelit qendror por edhe atij vendor. Dhe disa Bashki tregojnë se është kështu. Aty ku pushteti vendor reagon në mënyrë proaktive dhe nuk bën thjesht ngritjen e telefonit dhe thotë shiko se kemi zjarr këtu hajde ngrini helikopterin. Por kjo historia e helikopterit duhet kuptuar mirë, se reagimi është i përshkallëzuar dhe në të gjithë botën fillon nga niveli i ulët vendor. Fillon nga ata punëtorët vendor që nisin punën kur ka emergjenca. Dëmi që krijohet ju e keni parasysh vetë. Digjen me një zjarr më shumë seç mbillen me vite ndaj duhet të jemi në alert gjithë kohës. Infrastruktura e ujitjes, kullimit, digat e rezervuarve, të gjithë ato pjesë të investimeve parandaluese, mbrojtëse ndaj fatkeqësive natyrore nuk është e gjitha. Kjo ka të bëjë me përmbytjet, falë angazhimit edhe të një sërë kryetarësh bashkish, ku shembulli është kryebashkiaku i Fierit me një punë titanike. Gushti do të jetë shumë sfidues, ndaj duam që jo disa, por të gjithë të jenë të angazhuar. Këtu të 28 mijë kilometra katrorë të Shqipërisë janë në rrezik nga zjarret dhe të gjitha bashkitë duhet të jenë të gatshme për reagimin e pare. Me 300 e kusur vatra zjarri edhe 300 helikopterë të kesh prapë është probleme, sepse diku duhen dy diku tre…Reagova për Bashkinë e Durrësit për pastrimin, por nuk mund të them të njëjtën gjë me situatën e zjarreve. Por në rastin e zjarrit nuk kemi ca i themi Beratit dhe Fierit. Ne që jemi durrsak, është e rëndë të na i kalojë Berati dhe Fieri. Duhet të organizoheni”, tha Rama.