Plani mbajti deri në minutën e tetëdhjetë, deri në mrekullinë e Osimhen. Goditja e klasit të kampionit të Napolit trazoi kartat dhe bëri që kështjella mbrojtëse e ngritur nga Roma të shembet. Por Mourinho nuk la pa treguar pakënaqësinë e tij ndaj “simuluesit” Lozano. Deri në atë moment, loja e projektuar nga Mourinho nuk kishte asnjë defekt. Mbrojtje e ashpër, dublim sistematik në mbulimin e Kvaratskhelia e intensitet maksimal në mesfushë. Ideja ishte të kalohej sa më shpejt të ishte e mundur topi drejt Zaniolo ose Abraham, duke shpresuar se diçka do të ndodhte.

Zero goditje në pasqyrën e portës së Napolit, por edhe pak mundësi të lejuara Napolit. “Performancë e mjaftueshme për të mos humbur ndeshjen – tha Mou -. Doja ta fitoja në të njëjtën mënyrë si fituan ata. Dy goditje në portë dhe një gol. Lojë e komplikuar, ne e kontrolluam, por pas kaq shumë kartonave të verdhë u futëm në vështirësi. E ndjemë lodhjen, por ishte një ndeshje e kontrolluar kundër një ekipi të madh. Ndjej pak padrejtësi dhe lojtarët e mi bënë gjithçka. Kushdo që shënoi golin e parë fitoi. Por jam i lumtur për djemtë, nuk më pëlqen të shkoj në shtëpi pas një disfate”.

IRONIA

Pastaj Mourinho u ndal te arbitrimi, duke dashur të evitojë polemikat e forta: «Nuk dua të flas, mendoj se Irrati është një arbitër i mirë dhe i ekuilibruar. Ka gjëra që nuk më kanë pëlqyer, fola me të e nuk dua të jem kritik».

Special One pastaj nuk ngurron të ironizojë sulmuesin e Napolit Lozano, sipas tij simulues i madh: «Ibanez nuk futej në sparkatë ndaj… Si quhet… Ai që hidhet gjithnjë përtokë, ai që hidhet gjithnjë… Lozano, Lozano».