Vlerat e çajit të kamomilit janë gjithë kohës subjekt studimesh të imtësishme për të zbuluar sa më shumë rreth kësaj luleje të mirë. Së fundmi, studimet kanë zbuluar se çaji i kamomilit ul nivelet e glukozës në gjak.

Substancat përbërëse të lules së kamomilit mposhtin enzimat që aktivizohen në organizëm dhe nxisin shfaqjen jo vetëm të diabetit por edhe të dëmtimeve të veshkave dhe atyre nervore.

“Konsumi i rregullt ditor i çajit të kamomilit gjatë vakteve ka një potencial të dobishëm në parandalimin dhe trajtimin vetjak të hiperglicemisë dhe komplikacioneve të diabetit,” thuhet në një dokument të autoriteteve britanike të shëndetësisë.

Sigurisht që në trajtimin dhe parandalimin e diabetit do të ishte e gabuar që njeriu të konsumojë vetëm çaj kamomili.

Sipas agroweb.org, hapi i parë drejt shmangies së diabetit është të siguroheni që të mos jeni mbipeshë. Kjo e fundit është kontribues direkt i shfaqjes së diabetit.

Përpos të tjerave, njerëzit duhet të ushqehen shëndetshëm me fruta, perime, drithëra, fara, kos, peshk e yndyrna të shëndetshme.