Shumë gjëra kanë shkuar ndryshe nga sa i kishin menduar skuadrat në Superiore. Dikush ka parë ti veniten objektivat e menduara, dikush tjetër ka thyer pritshmëritë, duke dalë përtej parashikimeve si i mbaruar, por vetëm një skuadër ka patur një vazhdimësi impresionuese, që e reflekton qartë në renditje. Vllaznia, skuadra surprizë e fillimit, me 32 pikë në 14 javë, numrin më të lartë të fitoreve e sulmi më i mirë i kampionatit, e ka ndërtuar staturën si pretendent për titull me një këmbëngulje të admirueshme, edhe atëherë kur askush nuk dilte nga skepticizmi, ndoshta vetëm Brdaric.

Në këto 14 javë kuqeblutë kanë treguar një stabilitet të jashtëzakonshëm, duke lëshuar vetëm një herë në shtëpi e një herë jashtë fushës. Të tjetër janë të gjithë me probleme: Kukësi është rrëzuar me zhurmë në hierarki, duke ndryshuar më kot timonier, sepse 5 humbje në gjashtë ndeshjet e fundit Blutë nuk i kishin provuar kurrë më parë që kur janë ngjitur në Superiore. Titulli nuk bëhet më fjalë, por edhe zona Europiane është në risk të madh dhe nuk është problemi tek Hallaci. Partizani shpreson të rinxjerrë në skenë pretendimet pas zhbllokimit të merkatos, ashtu edhe Tirana, por ndërkohë kanë humbur shumë pikë rrugës dhe derbi i sjell në një kryqëzim që më shumë se me drejtim kampionati, i orienton nga zona Europa League.

Aty ku mund të përfundojnë edhe objektivat e Lacit që e nisi me shumë zhurmë në merkato, por që edhe pas ardhjes në pankinë të Duros nuk gjeti shpëtim, mjafton të kujtosh humbjen e fundit me Apoloninë e vendit të fundit. Pikërisht të konsideruarit favoritë për rënien nga Kategoria kanë valëzuar renditjen me një shkundje të dëshpëruar, por që i ka sjellë Skënderbeun, Bylis e Apoloninë në një stad kërcënues për Kastriotin e Kukësin. Komplimente Camarata për 4 pikë në dy ndeshje, kundër rivalëve të armatosur rëndë, por komplimente edhe për Ndreun, krutanët e të cilit në një fazë lojë ishin pretendentë për Europën, pavarësisht se tani e shohin veten të katërtët nga fundi.

E në fund, por jo për nga rëndësia Teuta, që pathyeshmëria e mbante me një mister interesant, pavarësisht se pikët nuk ishin ku duheshin. Shumë barazime, problem goli e në fund një 23 pikësh që i rri ngushtë, 9 distanca nga objektivi, por që mund të përmirësohet në vazhdim…