Seanca paraprake për Erion Veliajn dhe të pandehurit e tjerë është shtyrë sërish sot në GJKKO. Mësohet se avokati i tij i ri, Artan Gjermeni krahas avokatit paraardhës Ermir Beta, do kohë të njihet me aktet. Sakaq seanca e radhës është parashikuar të mbahet më datë 12 nëntor në orën 09:00.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.