Komitetit Teknik i Ekspertëve është mbledhur këtë të mërkurë pas rritjes së rasteve me Covid-19. Komiteti apeloi për vaksinimin e qytetarëve, por nuk ndryshoi asnjë masë kufizuese.

“Gjithçka është në përputhje me rrjedhën epidemiologjike. Nuk është rasti për të propozuar masë tjetër veç vaksinimit.”, tha epidemiologia Eugena Tomini.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se rritja e infektimeve ka ardhur si pasojë e qarkullimit të variantit Omicron, gjatë javëve të fundit. Prej ditësh tashmë vendi ynë po përballet me rritje të rasteve me Covid, ndërsa një ditë më parë kishte 974 të infektuar në vetëm 24 orë. Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 24 pacientë, ndërsa janë 4,235 qytetarë aktivë me Covid 19 në gjithë vendin.