karburant
Çmimi i naftës në Shqipëri po prek përsëri kufinjtë e 190 lekëve për litër. Ndërsa rënia e çimimit në tregun botëror përpara pak muajve thuajse nuk u reflektua në vendin tonë, rritja është përcjellë menjëherë. Për një vend me të ardhurat më të ulta në kontinent, ky çmim i lartë ka një ndikim të madh përkeqësues në ekonomi.
Tregtarët thonë se shkaku për rritjen e fundit është forcimi i dollarit dhe ecuria e çmimit në bursë, edhe pse të dhënat nga BBC tregojnë se të paktën në dy muajt e fundit çmimi i karburanteve në tregjet botërore ka qenë i pandryshuar. Ndërkohë që ditët e fundit, për shkak të krizës greke, ai po ulet me ritme të shpejta.
Në tregun vendas çmimi i naftës shënoi nivelin më të ulët në fillim të shkurtit, kur në disa pika me pakicë ra deri në 165 lekë për litër. Por pas kësaj kohe, kurba e çmimit ka qenë vetëm në rritje dhe sipas të dhënave, krahasur me shkurtin, ai është shtrenjtuar me 13.5 përqind. Për shkak të taksimit të rëndë dhe ngurtësisë së tregut, Shqipëria mbetet një nga vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në Europë. Madje, sipas Global Petrol, me çmimet aktuale, nafta në Shqipëri kushton më shtrenjtë edhe se në shumë vende të pasura si Franca, Gjermania, Belgjika apo Austria, ku të ardhurat për frymë janë disa herë më të larta.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, çmimi i naftës për shqiptarët shkon akoma edhë më lartë po të kesh parasysh sasinë e mangët për shkak të vjedhjes në litra nëpër pikat e karburanteve si dhe cilësinë e keqe. Për të përfituar sa më shumë në kurriz të konsumatorëve, bosët e naftës luajnë me cilësinë e saj, madje së fundi nafta vendase po tregtohet si naftë importi. Në një kontroll i fundit i autoriteteve shtetërore u gjobitën disa kompani, mes tyre edhe Bolv Oil, por këto masa nuk kanë sjellë asnjë përmirësim të cilësisë.